Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 1 për qind të votave në shkallë vendi në zgjedhjet më të afërta pararendëse të të njëjtit lloj, përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje. Fondi për këtë qëllim përcaktohet me vendim të Kuvendit dhe përbën zë më vete në Buxhetin e Shtetit për vitin zgjedhor përkatës. Ky fond nuk mund të jetë më pak sesa totali i shumave të shpërndara partive politike në zgjedhjet pararendëse.
KQZ-ja, brenda 10 ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar në shkallë vendi, përcakton me vendim vlerën në para të një vote të vlefshme, duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar, me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje, që kanë marrë jo më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore llogaritja bëhet mbi bazën e votave të marra për këshillat vendorë në shkallë vendi.
KQZ-ja përllogarit shumën që i takon secilës parti, duke shumëzuar vlerën në para të një vote të vlefshme, me numrin e votave të vlefshme që ka marrë secila parti në zgjedhjet pararendëse të të njëjtit lloj. Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre.
KQZ-ja zbret nga shuma e përllogaritur, sanksionet financiare që janë bërë titull ekzekutiv, të vëna për partinë përkatëse.
Shuma e mbetur pas përllogaritjeve të pikës 4 është shuma që përfiton partia pjesëmarrëse në zgjedhje nga Buxheti i Shtetit.
Fondi i përcaktuar për t’u shpërndarë i jepet secilës parti jo më vonë se 5 ditë nga regjistrimi i listave shumemërore ose kandidatëve për kryetar të njësive të qeverisjes vendore të partisë përkatëse. Partia politike që përfiton fonde nga Buxheti i Shtetit dhe KQZ-ja, para shpërndarjes së fondit, nënshkruajnë aktmarrëveshje, në të cilën përcaktohet se partia politike pranon fondin e dhënë, se do ta përdorë atë në zbatim të të gjitha kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj, pranon monitorimin e shpenzimit të tyre prej subjektit dhe kandidatëve të tij, si dhe do të respektojë të gjitha ndalimet që përcaktohen në këtë ligj për ta. KQZ-ja përcakton me akt nënligjor modalitetet e tjera të aktmarrëveshjes që nënshkruhet mes palëve.
Në rast se shuma e përllogaritur është më e lartë se totali i shpenzimeve të fushatës zgjedhore të raportuara nga partia politike ose është vlerësuar si e tillë nga KQZ-ja sipas auditimeve të pavarura apo verifikimeve të saj, atëherë partia politike është e detyruar të kthejë diferencën në KQZ. Në rast se partia politike nuk zbaton përcaktimin e mësipërm, atëherë përjashtohet nga e drejta për të përfituar fonde publike për një periudhë jo më pak se 5 vjet, përveçse kur shlyen detyrimin bashkë me gjobat.
Subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhje, të cilat nuk kanë përfituar nga shpërndarja e fondeve, kur marrin jo më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi, KQZ-ja, jo më vonë se 30 ditë nga data e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, iu kompenson fondet me shumën që rezulton nga shumëzimi i votave të vlefshme të marra prej tyre me vlerën e votës së përcaktuar sipas KZ.
Financimi i subjekteve zgjedhore nga fondet jopublike
Subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre mund të marrin fonde për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Konsiderohet person fizik vendas edhe shtetasi shqiptar me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor, përfshirë kandidatët e tij, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlera në sende ose shërbime. Vlera e shumës sipas fjalisë së parë të kësaj pike, indeksohet nga KQZ-ja çdo pesë vjet sipas normës së inflacionit.
Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksionar i tij nëse ndodhet në një nga kushtet e mëposhtme:
a) ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 3 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë. Ky ndalim zbatohet edhe në rastin e nënkontraktimeve apo të kontratave të partneritetit publik privat;
b) ushtron veprimtari në fushën e medias;
c) ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme;
ç) ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit ose ndaj çdo institucioni publik. Ky detyrim nuk zbatohet nëse aksionari i zotëron këto aksione si rezultat i ofertës publike.
Personat fizikë ose personat juridikë, që i kanë bërë dhurime një subjekti zgjedhor apo kandidatëve të tij në zgjedhje, nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 3 vjet pas datës së zgjedhjeve kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë tjetër fonde me vlerën totale që tejkalon shumën prej 10 milionë lekësh, përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik.
Subjekti zgjedhor është i detyruar të bëjë publike dhe të sigurojë akses të plotë e të pandërprerë të të tretëve në bazën e të dhënave, ku subjekti zgjedhor regjistron dhurimet, huat ose kreditë e përfituara nga ai dhe kandidatët e tij, për të gjitha vlerat e barabarta dhe më të larta se 50 mijë lekë.
Regjistrimi i fondeve jopublike.
Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit, huadhënësit ose kredidhënësit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në nenin 92/1 të KZ dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë.
Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në llogari të posaçme të hapura në banka nga subjekti zgjedhor.
Kandidatët e subjekteve zgjedhore, nëse planifikojnë të pranojnë dhurime për fushatën e tyre me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë, janë të detyruar të hapin llogari bankare të posaçme për të pranuar dhurimin e fondeve jopublike.
Shuma e shpenzimeve të bëra nga një subjekt zgjedhor, përfshirë kandidatët e tij, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 3 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore,
Paraqitja e raportit financiar për fushatën zgjedhore në KQZ.
Subjektet zgjedhore janë të detyruara të paraqesin raport financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve.
Raportet financiare hartohen sipas modeleve të miratuara nga KQZ-ja. Raporti, si rregull, duhet të përmbajë informacion, për:
a) çdo dhurim, hua ose kredi që i është dhënë subjektit zgjedhor (duke përfshirë edhe degët dhe kandidatët e tij) gjatë fushatës zgjedhore dhe gjashtë muaj para fushatës dhe burimin e tij, përfshirë edhe dhurimet apo shërbimet në natyrë;
b) të ardhurat për qëllime të fushatës zgjedhore nga të gjitha burimet e tjera të lejuara;
c) të gjithë zërat e shpenzimeve për qëllime të fushatës zgjedhore siç përcaktohen në vendimin e KQZ-së dhe në pikën 4 të nenit 92/2 të KZ;
ç) bilancin e aseteve dhe detyrimeve të partisë politike për periudhën nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve.
Ruajtja në arkiv për një periudhë prej 7 vjetësh dokumentacionin e plotë.
Çdo parti politike që merr pjesë në zgjedhje mban dhe ruan në arkiv për një periudhë prej 7 vjetësh dokumentacionin e plotë dhe të hollësishëm të statusit të saj financiar dhe të degëve të saj për periudhën që mbulon ky raport, duke përfshirë:
a) librat e llogarive/kontabilitetit, mbajtur në përputhje me legjislacionin në fuqi, ku pasqyrohen të gjitha të ardhurat sipas burimit dhe shumës, identifikohet si është bërë pagesa, si dhe pagesat e bëra personave të tretë, qëllimet e pagesave dhe se si është kryer çdo pagesë;
b) dokumentacionin e të gjitha shpenzimeve të bëra;
c) situatën dhe lëvizjet në llogarinë e saj bankare;
ç) dokumentacionin e plotë të pronave të paluajtshme që zotëron partia politike, si dhe çdo kontratë të lidhur për marrje me qira, dhënie me qira, porositje apo shitje të pronave të luajtshme dhe të paluajtshme;
d) regjistrin e dhuruesve, huadhënësve dhe kredidhënësve, sipas modelit të përcaktuar në pikën 1 të nenit 92/2.
Monitorimi i fushatës zgjedhore nga KQZ-ja.
Jo më vonë se gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve, KQZ-ja cakton një numër të mjaftueshëm personash për të monitoruar përmbushjen nga subjektet zgjedhore të detyrimeve në lidhje me financimin e fushatës dhe detyrimeve të tjera.
KQZ-ja përcakton me një udhëzim të posaçëm kriteret për përzgjedhjen e monitoruesve, si dhe për objektin e monitorimit. Monitorimi kufizohet me vëzhgimin e respektimit të verifikueshëm lehtësisht të detyrimeve të subjekteve zgjedhore për fushatën zgjedhore, duke përfshirë respektimin e ndalimeve dhe kufizimeve të formave të caktuara të fushatës dhe shpërdorimit të burimeve shtetërore.
Monitorimi nuk duhet t’i ekspozojë monitoruesit ndaj rreziqeve të panevojshme.
Monitorimi nuk kërkon që monitoruesit të llogarisin shpenzimet totale për fushatë zgjedhore nga subjekti zgjedhor ose variablat e ndryshme financiare, që kërkojnë mbledhje të metadatave të zgjeruara.
Në rastet kur monitoruesit vërejnë shkelje gjatë procesit të monitorimit, ata informojnë KQZ-në, përmes mënyrës së përcaktuar nga KQZ-ja, në të njëjtën ditë që bëhet vëzhgimi.
Portali për paraqitjen e denoncimeve në lidhje me financimet.
KQZ-ja krijon dhe mirëmban portalin në internet, me akses të lirë, për të denoncuar prej kujtdo shkeljet e mundshme të KZ nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët në lidhje me financimin e fushatës.
Auditimi i fondeve dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore.
Jo më vonë se 5 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, për çdo parti politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, apo kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, KQZ- ja emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas nenit 92/7 të KZ, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. Raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit.
Subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të auditit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokument apo të dhënë, që ka të bëjë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore, sipas KZ.
Subjektet zgjedhore që auditohen duhet të vënë në dispozicion çdo informacion që disponojnë nga bankat, institucione apo persona të tretë që kanë lidhje me auditimin ose të autorizojnë auditin për tërheqjen e tyre nga të tretët. KQZ-ja vë në dispozicion të auditit në çdo fazë të auditimit informacionet që i paraqiten nga të tretët për objektin e auditimit.
KQZ-ja publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse.
Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në këtë kre nga subjektet zgjedhore apo dhuruesit, në rast se nuk përbën vepër penale, është kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet sipas parashikimeve të Pjesës XIII të KZ.
KQZ-ja ka të drejtën të verifikojë drejtpërdrejt të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore për çdo parti politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, apo kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, raportin e auditimit sipas pikës 1 të këtij neni, si dhe çdo informacion tjetër për lëndën për të cilin vihet në dijeni. KQZ-ja, për zbatim të këtij neni ka të drejtë të kërkojë të dhëna, dokumente apo informacion nga subjektet zgjedhore apo persona të tretë, të cilët duhet t’i përgjigjen kërkesës së KQZ-së brenda 15 ditëve nga marrja e saj. Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumenteve, vonesat ose sjellja e papërshtatshme në procesin e verifikimit të kryer nga KQZ-ja raportohet në prokurori si vepër penale, sipas nenit 248 të Kodit Penal, si dhe ndëshkohen administrativisht prej saj në përputhje me nenin 173 të KZ.
- Shkelja e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore nga personi përgjegjës i financës së një partie politike dënohet me një gjobë nga 100 000 deri 200 000 lekë.
- Pengimi ose mosbashkëpunimi i subjektit zgjedhor me audituesin e KQZ-së dënohet me një gjobë nga 2 000 000 deri 3 000 000 lekë, si dhe me pezullim të financimit publik të partisë politike deri në 5 vjet.
- Mosparaqitja e një raporti financiar për fushatën brenda afatit ligjor dënohet me një gjobë prej 2 000 000 lekësh. Paraqitja e raporteve në shkelje të rregullave dhe formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë nga 500 000 deri 1 000 000 lekë.
- Pranimi i fondeve private më vlerë më të madhe se 50 mijë lekë përmes formave të tjera, të ndryshme nga kalimi në llogarinë bankare, dënohet me një gjobë të barabartë me shumën e dhuruar dhe në kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së.
- Shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga një subjekt zgjedhor dënohet me një gjobë prej 5 000 000 lekësh ose me një gjobë të barabartë me shumën që ka kaluar kufirin, cilado që është më e lartë.