E drejta e ankimit administrativ ndaj vendimeve të komisioneve zgjedhore

Në parim, çdo shkelje e legjislacionit zgjedhor, qoftë nëpërmjet veprimit apo mosveprimit si dhe prania e ligjeve që cënojnë të drejtat për zgjedhje të lira dhe të ndershme, votimin dhe kandidaturat, duhet të përbëjë bazën për paraqitjen e ankesave. Mosmarrëveshjet zgjedhore mund të lindin në çdo fazë të ciklit zgjedhor.

Palët e përfshira në një proces zgjedhor janë të rrezikuara në mënyrë të vazhdueshme përsa i përket realizimit të drejtave të tyre të cilat mund të cënohen ose të mos përmbushen si rrjedhojë e veprimtarisë administrative të organeve të krijuara në kuadër të KZ.

Parashikimi i proçedurave të ankimit administrativ dhe gjyqësor është një fazë proçedurale e rëndësishme për subjektet në kërkimin ose rivendosjen e të drejtave. Palët mund t’i kryejnë të gjitha veprimet proçedurale personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, por pavarësisht këtij parashikimi, organit administrativ i është rezervuar e drejta për të kërkuar kryerjen e një ose disa veprimeve proçedurale drejtpërdrejt nga pala, në rastet kur parashikohet shprehimisht nga ligji.

Për të proceduar me ankim administrativ është e rëndësishme që palët të kenë legjitimitet, pra zotësi për të vepruar në procedurën administrative dhe kjo konkludohet nga neni 33 e vijues i KPA. Fillimi i procedurës administrative shënon vendosjen e një marrëdhënieje midis organit publik dhe personit fizik ose juridik, i cili fiton statusin ligjor të palës siç përcaktohet në nenin 33 të KPA. Që nga ky moment secila palë ka të drejta dhe detyrime proçedurale të parashikuara në KPA ose në ligje të tjera të posaçme përfshirë të drejtën e palës për t’u njohur me dosjen, e drejta për të paraqitur shpjegime dhe mendime, asistimi i palës me ndihmë aktive nga organi në kuadër të procedurës etj.

Subjektet ankimuese

E drejta e ankimit ndaj vendimeve të komisioneve zgjedhore i është njohur subjekteve të parashikuara nga neni 124 dhe 124/1 i KZ si mëposhtë:

  • Çdo parti politike pjesëtare ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ që cënojnë

interesat e tyre të ligjshme;

  • Çdo parti politike pjesëtare ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ për shpalljen e rezultatit për zgjedhjet e organeve të njësive të qeverisjes vendore nën juridiksionin e saj të marr sipas nenit 122 të KZ;
  • Çdo parti politike pjesëtare ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore sipas nenit 123 të KZ;
  • Individët ose partitë politike të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrimin si subjekt zgjedhor;
  • Organizatat jofitimprurëse shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësuesit e shteteve të huaja dhe të medias kundër refuzimit të kërkesave për akreditim të vëzhguesve në rastin kur akreditimi i vëzhguesve u delegohet KZAZ;
  • Organizatat jofitimprurëse shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësuesit e shteteve të huaja dhe të medias kanë të drejtë të ankohen në KAS kundër vendimeve që refuzojnë regjistrimin e vëzhguesve;
  • Palët që provojnë interes të ligjshëm për çështjen objekt ankimi mund të bëjnë ankim kundër akteve të Komisionerit në KAS.

Organet e ngarkuara me shqyrtimin e ankimit administrativ

KAS është një organ kolegjial të cilit i është njohur e drejta për të disponuar këto vendime:

  • Vendos për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në një ose më shumë qëndra votimi, në një ose më shumë zona zgjedhore apo në të gjithë vendin, si dhe për përsëritjen e pjesshme ose të plotë të zgjedhjeve;
  • Shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat ndaj akteve të Komisionerit;
  • Shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat e subjekteve zgjedhore ndaj vendimeve të KZAZ;
  • Vlerëson performancën e komisionerëve dhe numëruesve për çështjet që shqyrton;
  • Me kërkesë të Komisionerit, vendos masat disiplinore ndaj zyrtarëve zgjedhorë në rastet kur pas kontrollit aposteriori të materialit zgjedhor janë konstatuar shkelje ose parregullsi në administrim;
  • Me kërkesë të Komisionerit, vendos sanksione administrative kundër personave apo subjekteve zgjedhore dhe/ose kandidatëve të tyre, që kryejnë kundërvajtje administrative në lidhje me zgjedhjet.

Afatet proçedurale që lidhen me ankimin administrativ dhe llogaritja e tyre

Afatet proçedurale në kontekstin e ankimit administrativ sipas KZ janë kryesisht afate të shkurtra, të llogaritura në ditë dhe në orë. Kjo buron nga nevoja e shqyrtimit të pretendimeve në një kohë të shpejtë dhe marrjes së një vendimi përfundimtar brenda një afati të arsyeshëm, në mënyrë që për shkak të natyrës së posacme të mosmarrëveshjes, vendimi të jetë efektiv për realizimin e të drejtave të palëve.

Kundërshtimi i vendimeve të organeve zgjedhore ka afate ankimi të caktuara në ditë, kryesisht tre dhe pesë ditore nga data e shpalljes së vendimeve.

Ushtrimi i të drejtave zgjedhore varet nga zbatimi i afateve proçedurale, mosrespektimi i të cilave  të pengojë vetë ushtrimin e këtyre të drejtave. Pasiguria afatgjatë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve mund të dëmtojë besimin në sistemin zgjedhor dhe institucionet politike. Si rezultat, standardet ndërkombëtare rekomandojnë afate të shkurtra kohore për paraqitjen dhe vendosjen e ankesave. Kodi i Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore i Komisionit të Venecias rekomandon afate kohore nga tre deri në pesë ditë, përkatësisht për paraqitjen dhe për marrjen e vendimeve mbi ankesat. Megjithatë, afatet kohore për marrjen e vendimeve mbi ankesat, në veçanti çështjet komplekse si rezultati i zgjedhjeve, nuk duhet të jenë aq të shkurtra sa t’i mohojnë në mënyrë efektive kërkuesit një shqyrtim të plotë të pretendimeve të tij.

Kur afatet llogariten në orë dhe në ditë rezulton të jetë ruajtur i njëjti standard me KPC dhe KPA, ku përjashtohet nga llogaritja ora dhe data në të cilën është disponuar vendimi. Për afatet të cilat llogariten në orë organi administrativ është i detyruar që të shënojë dhe orën e shpalljes së aktit, në të kundërt afati do të llogaritet duke filluar nga ora 800 në ditën pasardhëse.

Në rast se plotësimi i afateve bie jashtë orarit zyrtar të punës, të përcaktuar në vendimin e KQZ, atëherë ecja e afatit pezullohet në orën e mbarimit të orarit zyrtar dhe rifillon në orën e fillimit të orarit zyrtar në ditën pasardhëse. Në rast se nga KQZ nuk është përcaktuar ndryshe me vendim, orar zyrtar i punës llogaritet koha nga ora 800 deri në orën 1600 dhe ditë pushimi janë dita e shtunë dhe dita e diel. Në rast se plotësimi i afateve bie në ditët e pushimeve ose festave zyrtare, afati fillon në ditën më të parë pasardhëse të punës. 

Karakteristikë e llogaritjes së afateve sipas pjesës dhjetë të KZ është se nuk mund të ketë rivendosje në afat për ankimin administrativ. Parashikimi i tillë i ligjvënësit pavarësisht se në lidhje me të drejtat proçedurale të palëve mund të jetë kushtëzues, rezulton të jetë në përputhje me KPA, i cili parashikon institutin e rivendsojes në afat si të drejtën e çdo pale për ta kërkuar, nëse është penguar për shkaqe të arsyeshme për respektimin e afatit proçedural, me përjashtim të rasteve kur afatet kanë karakter prekluziv ose kur ndalohet shprehimisht me ligj.

Aspekt tjetër i rëndësishëm është afati për kryerjen e veprimeve hetimore administrative, i cili është i papërcaktuar në ligj apo me anë të akteve të brendshme institucionale dhe përcaktohet rast pas rasti nga KQZ në konsultim me palët. Referuar kësaj dispozite kompetencën për të vendosur afatin e shqyrtimit administrativ e ka organi që shqyrton ankimin administrative, i cili rrjedhimisht mund të jetë KAS ose Komisioneri duke qënë se Rregullatori ka kompetencë të fokusuar në nxjerrjen e akteve normative.

Ky parashikim përbën një kompetencë të rëndësishme të përqëndruar në pushtetin

e organit kompetent dhe që mund të përmbajë aspekte cënuese në disa këndvështrime:

Së pari, rezulton në mënyrë të qartë se qëllimi i ligjvënësit në përcaktimin e afateve të shkurtra proçedurale ligjore për paraqitjen e ankimeve ka qënë i lidhur me marrjen e një vendimi të shpejtë mbi aktet e kundërshtuara me rëndësi për procesin zgjedhor, të drejtat e palëve të përfshira dhe rezultatin e pritshëm për publikun.

Së dyti, kundërshtimi administrativ i një vendimi sipas parashikimeve të KZ kërkon angazhimin e palës për paraqitjen dhe hartimin e një ankimi cilësor dhe në përputhje me normat ligjore. Afati i lënë në dispozicion të palës është tepër i shkurtër, ndërkohë që për organin shqyrtues ky afat mund të përcaktohet sipas nevojave të tij për hetimin administrativ të çështjes. Nga ana tjetër, ndërkohë që neni 134 pika 3 i KZ përcakton se afatet maksimale për kryerjen e veprimeve hetimore administrative caktohen nga KQZ-ja në konsultim me palët, nëpërmjet interpretimit sistematik të kësaj dispozite me nenet 131 dhe 143 pika 3 të KZ, rezulton që organi i cili shqyrton ankimin është i detyruar të përfundojë procedurën hetimore dhe të shpallë vendimin brenda afateve të mirë përcaktuara në ligj. Pavarësisht se ligji ka përcaktuar afate maksimale për shpalljen e vendimit përfundimtar, është e  nevojshme që të parashikohen afate maksimale edhe për kryerjen e veprimeve hetimore administrative, në mënyrë që të garantohet marrja e provave dhe të mos vendoset në rrezik ose bëhet e pamundur marrja e tyre.

Proçedura e shqyrtimit të ankimit administrativ

KZ parashikon disa proçedura formale të cilat duhet të ndiqen në shqyrtimin e çështjes në themel.

Së pari, kërkesa ankimore do duhet të jetë në përputhje me kërkesat formale të ligjit dhe të përmbajë elemente të tillë si; emrin e ankuesit dhe adresën, vendimin që ankimohet, përshkrim të shkeljes, fakteve dhe bazës ligjore, provat që kërkohen të mbahen në shqyrtim, datën dhe nënshkrimin e palës. Mosplotësimi i elementëve formal mund të sjellë si pasojë kthimin e ankimit, në rast mosplotësimit të të metave. Afati ligjor i vendosur në dispozicion të palës për plotësimin e të metave është 24 orë dhe kërkesa kthehet për plotësim të metash vetëm një herë.

Së dyti, kërkesa ankimore depozitohet në selinë e KQZ dhe regjistrohet në Regjistrin e Ankimeve Zgjedhore. KQZ-ja nuk mund të refuzojë për asnjë shkak regjistrimin e kërkesave ankimore të subjekteve.

Së treti, KQZ (organi kompetent që shqyrton kërkesën ankimore) duhet të përcaktojë datën dhe orën për shqyrtimin e çështjes në seancë publike. Vendimi afishohet për publikun në hyrjen e selisë së KQZ jo më vonë se dy orë pas marrjes së tij, ndërkohë që seanca e shqyrtimit sipas nenit nenit 134 të KZ zhvillohet jo më parë se 24 orë dhe jo më vonë se 48 orë nga data e shpalljes së vendimit të pranimit.

Së katërti, çelja, shqyrtimi i ankimit dhe zgjidhja e çështjes në themel si rregull duhet të bëhet në një seancë të vetme të pandërprerë me përjashtim të rastit kur palët shprehin nevojën për marrjen e provave. Seanca do të zhvillohet pavarësisht pjesëmarrjes së palëve.

Së pesti, për provueshmërinë e pretendimeve të paraqitua në ankim dhe llojit të provave që do të administrohen, zbatohen rregullat e parashikuara nga KPC. Pala ka detyrimin që të provojë bazueshmërinë e themelit të kërkimeve ose prapësimeve. Në respektim të parimit të disponibilitetit të provës, janë pikërisht palët në proces atyre të cilave u bie barra e provës për të parashtruar faktet e dobishme të rëndësishme, të domosdoshme, për mosmarrëveshjen, mbi të cilat ato mbështesin kërkimet dhe pretendimet e tyre. Kjo barrë proçedurale që i është vendosur palëve përcakton dhe kufirin që kanë organet administrative dhe gjyqësore, të cilat duhet të vendosin në themel të vendimit të tyre provat e paraqitura nga palët. Palëve u njihet e drejta që nëse kanë pamundësi në paraqitjen e provave, të kërkojnë marrjen e tyre prej organit që shqyrton ankimin duke i vërtetuar këtij të fundit pamundësinë për sigurimin e provës dhe se ajo është e rëndësishme për të provuar pretendimet e tyre.

Së gjashti, referuar nenit 133 të Kodit Zgjedhor, palët e përfshira në një procedurë administrative janë ankuesi dhe pala e interesuar. Kjo e fundit për të marrë pjesë në shqyrtimin administrativ do duhet që të depozitojë kërkesë për përfshirjen në procedurën e shqyrtimit administrativ dhe pranimi i saj është në kompetencën e KQZ dhe realizohet në formën e një vendimi. Në këtë mënyrë, pala e interesuar ka detyrimin:

  • Të vendoset në dijeni për ankimet e mundshme ndaj saj;
  • Të kryejë një analizë të rrethanave të faktit dhe legjislacionit të zbatueshëm;
  • Të hartojë dhe depozitojë kërkesën për përfshirjen e saj në shqyrtimin administrativ.

Vendimet që mund të merren nga KAS:

  • Lënia në fuqi e vendimit të KZAZ / Komisionerit;
  • Ndryshimi i vendimit të KZAZ / Komisionerit;
  • Lënia në fuqi ose ndryshimi i vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve, sipas nenit 122 ose nenit 123, të KZ.
  • Pushimi i shqyrtimit;
  • Shpallja e zgjedhjeve të pavlefshme në një, ose disa qëndra votimi të zonës zgjedhore ose në të gjithë njësinë zgjedhore;

Vendimet që mund të merren nga Komisioneri:

  • Vendos për shqyrtimin administrativ të denoncimeve dhe i propozon KAS-it marrjen e masave administrative ndaj palëve që kanë kryer shkelje;
  • Vendos pushimin e hetimit administrativ;
  • Vendos për akreditimin e vëzhguesve;
  • Regjistrimin e subjekteve zgjedhore;