Ankimi në KQZ

Në parim, çdo shkelje e legjislacionit zgjedhor, qoftë nëpërmjet veprimit apo mosveprimit si dhe prania e ligjeve që cënojnë të drejtat për zgjedhje të lira dhe të ndershme, votimin dhe kandidaturat, duhet të përbëjë bazën për paraqitjen e ankesave. Mosmarrëveshjet zgjedhore mund të lindin në çdo fazë të ciklit zgjedhor.

Palët e përfshira në një proçes zgjedhor janë të rrezikuara në mënyrë të vazhdueshme përsa i përket realizimit të drejtave të tyre të cilat mund të cënohen ose të mos përmbushen si rrjedhojë e veprimtarisë administrative të organeve të krijuara në kuadër të KZ.

Parashikimi i proçedurave të ankimit administrativ dhe gjyqësor është një fazë proçedurale e rëndësishme për subjektet në kërkimin ose rivendosjen e të drejtave. Palët mund t’i kryejnë të gjitha veprimet proçedurale personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, por pavarësisht këtij parashikimi, organit administrativ i është rezervuar e drejta për të kërkuar kryerjen e një ose disa veprimeve proçedurale drejtpërdrejt nga pala, në rastet kur parashikohet shprehimisht nga ligji.

Për të proçeduar me ankim administrativ është e rëndësishme që palët të kenë legjitimitet, pra zotësi për të vepruar në proçedurën administrative dhe kjo konkludohet nga neni 33 e vijues i KPA. Fillimi i proçedurës administrative shënon vendosjen e një marrëdhënieje midis organit publik dhe personit fizik ose juridik, i cili fiton statusin ligjor të palës siç përcaktohet në nenin 33 të KPA. Që nga ky moment secila palë ka të drejta dhe detyrime proçedurale të parashikuara në KPA ose në ligje të tjera të posaçme përfshirë të drejtën e palës për t’u njohur me dosjen, e drejta për të paraqitur shpjegime dhe mendime, asistimi i palës me ndihmë aktive nga organi në kuadër të proçedurës etj.

E drejta e ankimit ndaj vendimeve të komisioneve zgjedhore i është njohur subjekteve të parashikuara nga neni 124 dhe 124/1 i KZ si mëposhtë:

  • Çdo parti politike pjesëtare ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ që cënojnë interesat e tyre të ligjshme;
  • Çdo parti politike pjesëtare ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ për shpalljen e rezultatit për zgjedhjet e organeve të njësive të qeverisjes vendore nën juridiksionin e saj të marr sipas nenit 122 të KZ;
  • Çdo parti politike pjesëtare ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore sipas nenit 123 të KZ;
  • Individët ose partitë politike të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrimin si subjekt zgjedhor;
  • Organizatat jofitimprurëse shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësuesit e shteteve të huaja dhe të medias kundër refuzimit të kërkesave për akreditim të vëzhguesve në rastin kur akreditimi i vëzhguesve u delegohet KZAZ;
  • Organizatat jofitimprurëse shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësuesit e shteteve të huaja dhe të medias kanë të drejtë të ankohen në KAS kundër vendimeve që refuzojnë regjistrimin e vëzhguesve;
  • Palët që provojnë interes të ligjshëm për çështjen objekt ankimi mund të bëjnë ankim kundër akteve të Komisionerit në KAS.

KAS është një organ kolegjial të cilit i është njohur e drejta për të disponuar këto vendime:

  • Vendos për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në një ose më shumë qendra votimi, në një ose më shumë zona zgjedhore apo në të gjithë vendin, si dhe për përsëritjen e pjesshme ose të plotë të zgjedhjeve;
  • Shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat ndaj akteve të Komisionerit;
  • Shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat e subjekteve zgjedhore ndaj vendimeve të KZAZ;
  • Vlerëson performancën e komisionerëve dhe numëruesve për çështjet që shqyrton;
  • Me kërkesë të Komisionerit, vendos masat disiplinore ndaj zyrtarëve zgjedhorë në rastet kur pas kontrollit aposteriori të materialit zgjedhor janë konstatuar shkelje ose parregullsi në administrim;
  • Me kërkesë të Komisionerit, vendos sanksione administrative kundër personave apo subjekteve zgjedhore dhe/ose kandidatëve të tyre, që kryejnë kundërvajtje administrative në lidhje me zgjedhjet.

Afatet proçedurale në kontekstin e ankimit administrativ sipas KZ janë kryesisht afate të shkurtra, të llogaritura në ditë dhe në orë. Kjo buron nga nevoja e shqyrtimit të pretendimeve në një kohë të shpejtë dhe marrjes së një vendimi përfundimtar brenda një afati të arsyeshëm, në mënyrë që për shkak të natyrës së posaçme të mosmarrëveshjes, vendimi të jetë efektiv për realizimin e të drejtave të palëve.

Kundërshtimi i vendimeve të organeve zgjedhore ka afate ankimi të caktuara në ditë, kryesisht tre dhe pesë ditore nga data e shpalljes së vendimeve.

Ushtrimi i të drejtave zgjedhore varet nga zbatimi i afateve proçedurale, mosrespektimi i të cilave  të pengojë vetë ushtrimin e këtyre të drejtave. Pasiguria afatgjatë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve mund të dëmtojë besimin në sistemin zgjedhor dhe institucionet politike. Si rezultat, standardet ndërkombëtare rekomandojnë afate të shkurtra kohore për paraqitjen dhe vendosjen e ankesave. Kodi i Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore i Komisionit të Venecias rekomandon afate kohore nga tre deri në pesë ditë, përkatësisht për paraqitjen dhe për marrjen e vendimeve mbi ankesat. Megjithatë, afatet kohore për marrjen e vendimeve mbi ankesat, në veçanti çështjet komplekse si rezultati i zgjedhjeve, nuk duhet të jenë aq të shkurtra sa t’i mohojnë në mënyrë efektive kërkuesit një shqyrtim të plotë të pretendimeve të tij.

Kur afatet llogariten në orë dhe në ditë rezulton të jetë ruajtur i njëjti standard me KPC dhe KPA, ku përjashtohet nga llogaritja ora dhe data në të cilën është disponuar vendimi. Për afatet të cilat llogariten në orë organi administrativ është i detyruar që të shënojë dhe orën e shpalljes së aktit, në të kundërt afati do të llogaritet duke filluar nga ora 800 në ditën pasardhëse.

Në rast se plotësimi i afateve bie jashtë orarit zyrtar të punës, të përcaktuar në vendimin e KQZ, atëherë ecja e afatit pezullohet në orën e mbarimit të orarit zyrtar dhe rifillon në orën e fillimit të orarit zyrtar në ditën pasardhëse. Në rast se nga KQZ nuk është përcaktuar ndryshe me vendim, orar zyrtar i punës llogaritet koha nga ora 800 deri në orën 1600 dhe ditë pushimi janë dita e shtunë dhe dita e diel. Në rast se plotësimi i afateve bie në ditët e pushimeve ose festave zyrtare, afati fillon në ditën më të parë pasardhëse të punës. 

Karakteristikë e llogaritjes së afateve sipas pjesës dhjetë të KZ është se nuk mund të ketë rivendosje në afat për ankimin administrativ. Parashikimi i tillë i ligjvënësit pavarësisht se në lidhje me të drejtat proçedurale të palëve mund të jetë kushtëzues, rezulton të jetë në përputhje me KPA, i cili parashikon institutin e rivendsojes në afat si të drejtën e çdo pale për ta kërkuar, nëse është penguar për shkaqe të arsyeshme për respektimin e afatit proçedural, me përjashtim të rasteve kur afatet kanë karakter prekluziv ose kur ndalohet shprehimisht me ligj.

Aspekt tjetër i rëndësishëm është afati për kryerjen e veprimeve hetimore administrative, i cili është i papërcaktuar në ligj apo me anë të akteve të brendshme institucionale dhe përcaktohet rast pas rasti nga KQZ në konsultim me palët. Referuar kësaj dispozite kompetencën për të vendosur afatin e shqyrtimit administrativ e ka organi që shqyrton ankimin administrative, i cili rrjedhimisht mund të jetë KAS ose Komisioneri duke qënë se Rregullatori ka kompetencë të fokusuar në nxjerrjen e akteve normative.

Ky parashikim përbën një kompetencë të rëndësishme të përqëndruar në pushtetin e organit kompetent dhe që mund të përmbajë aspekte cënuese në disa këndvështrime:

Së pari, rezulton në mënyrë të qartë se qëllimi i ligjvënësit në përcaktimin e afateve të shkurtra proçedurale ligjore për paraqitjen e ankimeve ka qënë i lidhur me marrjen e një vendimi të shpejtë mbi aktet e kundërshtuara me rëndësi për proçesin zgjedhor, të drejtat e palëve të përfshira dhe rezultatin e pritshëm për publikun.

Së dyti, kundërshtimi administrativ i një vendimi sipas parashikimeve të KZ kërkon angazhimin e palës për paraqitjen dhe hartimin e një ankimi cilësor dhe në përputhje me normat ligjore. Afati i lënë në dispozicion të palës është tepër i shkurtër, ndërkohë që për organin shqyrtues ky afat mund të përcaktohet sipas nevojave të tij për hetimin administrativ të çështjes. Nga ana tjetër, ndërkohë që neni 134 pika 3 i KZ përcakton se afatet maksimale për kryerjen e veprimeve hetimore administrative caktohen nga KQZ-ja në konsultim me palët, nëpërmjet interpretimit sistematik të kësaj dispozite me nenet 131 dhe 143 pika 3 të KZ, rezulton që organi i cili shqyrton ankimin është i detyruar të përfundojë proçedurën hetimore dhe të shpallë vendimin brenda afateve të mirë përcaktuara në ligj. Pavarësisht se ligji ka përcaktuar afate maksimale për shpalljen e vendimit përfundimtar, është e  nevojshme që të parashikohen afate maksimale edhe për kryerjen e veprimeve hetimore administrative, në mënyrë që të garantohet marrja e provave dhe të mos vendoset në rrezik ose bëhet e pamundur marrja e tyre.

KZ parashikon disa proçedura formale të cilat duhet të ndiqen në shqyrtimin e çështjes në themel.

Së pari, kërkesa ankimore do duhet të jetë në përputhje me kërkesat formale të ligjit dhe të përmbajë elemente të tillë si; emrin e ankuesit dhe adresën, vendimin që ankimohet, përshkrim të shkeljes, fakteve dhe bazës ligjore, provat që kërkohen të mbahen në shqyrtim, datën dhe nënshkrimin e palës. Mosplotësimi i elementëve formal mund të sjellë si pasojë kthimin e ankimit, në rast mosplotësimit të të metave. Afati ligjor i vendosur në dispozicion të palës për plotësimin e të metave është 24 orë dhe kërkesa kthehet për plotësim të metash vetëm një herë.

Së dyti, kërkesa ankimore depozitohet në selinë e KQZ dhe regjistrohet në Regjistrin e Ankimeve Zgjedhore. KQZ-ja nuk mund të refuzojë për asnjë shkak regjistrimin e kërkesave ankimore të subjekteve.

Së treti, KQZ (organi kompetent që shqyrton kërkesën ankimore) duhet të përcaktojë datën dhe orën për shqyrtimin e çështjes në seancë publike. Vendimi afishohet për publikun në hyrjen e selisë së KQZ jo më vonë se dy orë pas marrjes së tij, ndërkohë që seanca e shqyrtimit sipas nenit nenit 134 të KZ zhvillohet jo më parë se 24 orë dhe jo më vonë se 48 orë nga data e shpalljes së vendimit të pranimit.

Së katërti, çelja, shqyrtimi i ankimit dhe zgjidhja e çështjes në themel si rregull duhet të bëhet në një seancë të vetme të pandërprerë me përjashtim të rastit kur palët shprehin nevojën për marrjen e provave. Seanca do të zhvillohet pavarësisht pjesëmarrjes së palëve.

Së pesti, për provueshmërinë e pretendimeve të paraqitua në ankim dhe llojit të provave që do të administrohen, zbatohen rregullat e parashikuara nga KPC. Pala ka detyrimin që të provojë bazueshmërinë e themelit të kërkimeve ose prapësimeve. Në respektim të parimit të disponibilitetit të provës, janë pikërisht palët në proçes atyre të cilave u bie barra e provës për të parashtruar faktet e dobishme të rëndësishme, të domosdoshme, për mosmarrëveshjen, mbi të cilat ato mbështesin kërkimet dhe pretendimet e tyre. Kjo barrë proçedurale që i është vendosur palëve përcakton dhe kufirin që kanë organet administrative dhe gjyqësore, të cilat duhet të vendosin në themel të vendimit të tyre provat e paraqitura nga palët. Palëve u njihet e drejta që nëse kanë pamundësi në paraqitjen e provave, të kërkojnë marrjen e tyre prej organit që shqyrton ankimin duke i vërtetuar këtij të fundit pamundësinë për sigurimin e provës dhe se ajo është e rëndësishme për të provuar pretendimet e tyre.

Së gjashti, referuar nenit 133 të Kodit Zgjedhor, palët e përfshira në një proçedurë administrative janë ankuesi dhe pala e interesuar. Kjo e fundit për të marrë pjesë në shqyrtimin administrativ do duhet që të depozitojë kërkesë për përfshirjen në procedurën e shqyrtimit administrativ dhe pranimi i saj është në kompetencën e KQZ dhe realizohet në formën e një vendimi. Në këtë mënyrë, pala e interesuar ka detyrimin:

  • Të vendoset në dijeni për ankimet e mundshme ndaj saj;
  • Të kryejë një analizë të rrethanave të faktit dhe legjislacionit të zbatueshëm;
  • Të hartojë dhe depozitojë kërkesën për përfshirjen e saj në shqyrtimin administrativ.
  • Lënia në fuqi e vendimit të KZAZ / Komisionerit;
  • Ndryshimi i vendimit të KZAZ / Komisionerit;
  • Lënia në fuqi ose ndryshimi i vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve, sipas nenit 122 ose nenit 123, të KZ.
  • Pushimi i shqyrtimit;
  • Shpallja e zgjedhjeve të pavlefshme në një, ose disa qendra votimi të zonës zgjedhore ose në të gjithë njësinë zgjedhore;
  • Vendos për shqyrtimin administrativ të denoncimeve dhe i propozon KAS-it marrjen e masave administrative ndaj palëve që kanë kryer shkelje;
  • Vendos pushimin e hetimit administrativ;
  • Vendos për akreditimin e vëzhguesve;
  • Regjistrimin e subjekteve zgjedhore;

Ankimi në Kolegjin Zgjedhor

KZ ka njohur të drejtën e subjekteve për të ju drejtuar gjykatës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre zgjedhore dhe ka krijuar një trup kompetente për shqyrtimin e mosmarrëshjeve të tilla e cila funksionin pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Në interpretim të nenit 145 KZ ka parashikuar se e drejta për të bërë ankimin ndaj vendimeve të organeve zgjedhore u njihet të gjithë subjekteve të cilët kanë qënë pjesë e proçedurës administrative dhe kundërshtojnë:

  • Vendimet që mund të cënojnë interesat e tyre të ligjshme;
  • Mos marrjen e vendimeve brenda afateve ligjore;
  • Refuzimin e kërkesës për regjistrim si subjekt zgjedhor;
  • Refuzimin e kërkesës për akreditimin si vëzhgues.

Ankimi administrativ është një parakusht për të ju drejtuar më pas rrugës gjyqësore. Aspektet që palët kërkojnë të rivendosin ose të zgjidhin i nënshtrohen detyrimisht ankimit administrativ dhe më pas vendimi ose mos marrja e vendimit brenda afateve kohore përbën objekt për shqyrtim nga juridiksioni gjyqësor.

Pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë është krijuar Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, një trup gjykuese e cila funksionon për zgjidhjen vetëm të mosmarrëveshjeve të lindura prej KZ.

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor thirret në detyrë sa herë që pranë gjykatës depozitohet ankim ndaj vendimeve të KQZ dhe është i përbërë nga tetë gjyqtarë të zgjedhur me short nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses, me vendim të formës së prerë procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, me përjashtim të atyre që ushtrojnë funksionet pranë Gjykatës kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Gjyqtarëve të Kolegjit u është dhënë një lloj “imuniteti” prej KZ duke qënë se gjatë ushtrimit të funksionit të tyre ata nuk mund:

  • T’i nënshtrohen hetimit apo proçedimit disiplinor gjatë gjithë periudhës për të cilën është krijuar Kolegji;
  • Të lëvizen nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershme për shkaqe disiplinore ose organizimi gjyqësor;
  • Të vlerësohen “i pamjaftueshëm” për aftësitë profesionale të gjyqtarit dhe etikën/ angazhimin ndaj vlerave profesionale të gjyqtarit.

Pavarësisht këtij “imuniteti” të dhënë, garancitë proçedurale për palët që mund të jenë në konflikt interesi me ndonjë prej gjyqtarëve janë të parashikuar edhe në KZ. Në kuadër të parashikimit të mekanizmave mbrojtës të të drejtave proçedurale të palës në proçes në shqyrtimin e çështjes gjyqësore KZ referon zbatimin e dispozitave proçedurale të KPC.

Ankimi për të gjitha vendimet që KQZ merr në periudhën, e cila fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme ose të përgjithshme deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimeve zgjedhore ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje, mund të paraqitet brenda 5 ditëve nga shpallja e tyre. Për vendimet që KQZ merr jashtë kësaj periudhe, afati i ankimit në Kolegjin Zgjedhor është 30 ditë.

Përsa i përket aspekteve të formës dhe përmbajtjes së ankimit ai duhet të paraqitet në formën e kërkesëpadisë dhe të përmbajë të dhënat e identitetit të paditësit, palën e paditur, palën e interesuar, objektin, bazën ligjore, shkeljen e pretenduar së bashku me pikat e vendimit të KQZ të cilat kundërshtohen, faktet si dhe argumentet ku mbështet ankimi.

KZ rezulton se nuk ka parashikime të mirëfillta në lidhje llojet e provave dhe mënyrës së marrjes së tyre, por parashikon vetëm që palët në proçesin e shqyrtimit gjyqësor të kërkesëpadisë kanë të gjitha të drejtat proçedurale dispozitave të KPC. Gjatë shqyrtimit gjyqësor KQZ ka për detyrë të sjellë në gjykim të gjitha provat e administruara prej saj gjatë shqyrtimit administrativ, pavarësisht nga kërkesat e palëve për to, si dhe çdo provë tjetër që mund të kërkohet nga Kolegji Zgjedhor.

Duke qenë se llojet e provave që lidhen me çështjet zgjedhore mund të jenë më komplekse në sigurimin e tyre dhe barra e provës mund të jetë një aspekt penalizues për palën e cila vendos në lëvizje proçesin, atëherë jemi të mendimit që KZ do duhet të parashikonte rregulla më specifike lidhur këtë çështje. Në këtë mënyrë, sikurse edhe në rastin e proçedurave të shqyrtimit të ankimit administrative, pala ka detyrimin që të provojë bazueshmërinë e themelit të kërkimeve ose prapësimeve.

Në varësi të rrethanave të faktit të mosmarrëveshjes në shqyrtim Kolegji mund të vendosë:

  • Pushimin e gjykimit;
  • Gjykimin e çështjes në themel; ose
  • Detyrimin e KQZ për të marrë vendim në zbatim të pikës 2 të nenit 145 të KZ. Në këtë rast Kolegji Zgjedhor cakton afat të prerë për marrjen e vendimit jo më të gjatë se 10 ditë. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është e formës së prerë dhe i paankimueshëm.

Vendimi shoqërohet me mendimin e pakicës ose mendimin alternativ të nënshkruar nga gjyqtarët që e mbështesin atë.

Ankimi në Gjykatën Kushtetuese

Çështja e legjitimitetit në GJK shtrihet jo vetëm në aspektin e kërkesave të partive politike për të kërkuar shfuqizim të ligjit apo akteve nënligjore, por i referohet edhe vendimeve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, të cilët mund të jenë objekt për shqyrtim në GJK.

Përsa i përket çështjes së ankimeve ndaj vendimeve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, parashikimi ligjor se ato janë vendime të formës së prerë dhe të paankimueshme nuk i kufizon subjekteve të drejtën për të ju drejtuar GJK për aspekte që lidhen me të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë.

GJK vihet në lëvizje më kërkesën e individëve dhe vendos për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e këtyre të drejtave, përveçse kur parashikohet ndryshe në Kushtetutë.

Referuar ligjit nr. 8577/2000, në nenin 71, pika 1, gërma “a”, parashikon se ankimi kushtetues individual shqyrtohet nga GJK kur kërkuesi ka shteruar të gjitha mjetet juridike efektive para se t’i drejtohet GJK ose kur legjislacioni i brendshëm nuk parashikon mjete juridike efektive në dispozicion dhe duhet të paraqitet brenda katër muajve nga momenti  i konstatimit të cënimit.

Bazuar në këto dispozita, parashikimi i KZ se vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë dhe i paankimueshëm nuk përjashton mundësinë e subjekteve për t’ju drejtuar GJK bazuar kjo në interpretimin se janë shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion dhe nuk ka në dispozicion mjete të tjera juridike për të kërkuar rivendosjen e së drejtës ose konstatimin e cënimit.

Pretendimet e subjekteve duhet të jenë të lidhura detyrimisht me të drejtat dhe liritë të garantuara nga Kushtetuta dhe aspektet e procesit të rregullt ligjor të cilat i janë cënuar gjatë shqyrtimit të çështjes në nivel administrativ dhe/ose gjyqësor. Ky mjet juridik është ekzistues për subjektet pavarësisht kufizimeve ligjore që mund të ekzistojnë në ligje të tjera të posaçme.

Denoncimet

KZ ka parashikuar detyrimin e KQZ për të krijuar dhe mirëmbajtur portalin e saj në internet, me akses të lirë, që kushdo të denoncojë shkeljet e mundshme të KZ nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët në lidhje me financimin e fushatës6. Ky parashikim ligjor është shoqëruar me një rregullim të posaçëm për të gjitha aspektet që lidhen me denoncimet dhe trajtimin e tyre me qëllim garantimin e të drejtave të subjekteve që lidhen me proçesin zgjedhor.

Rregullatori pranë KQZ-së ka miratuar vendimin nr. 9 datë 09.03.2021 “Për proçedurat e funksionimit dhe mirëmbajtjes së portalit, proçedurat dhe afatet e hetimit administrativ të denoncimeve dhe vendimin që merret në përfundim të tyre”. Çdo shtetas, person fizik ose juridik mund të njoftojë ose kallëzojë në Portalin e Denoncimeve pranë KQZ ose drejtpërdrejt në KQZ shkeljet e mundshme që lidhen me financimin e partive politike, subjekteve zgjedhore apo kandidatëve të tyre dhe/ose keqpërdorimin  e burimeve publike në mbështetje të tyre në kundërshtim me dispozitat e KZ, ligjin “Për partitë politike” dhe/ose aktet nënligjore të miratuara për zbatimin e tyre.

Sipas përkufizimit të dhënë nga neni 2, pika 2 i Vendimit nr. 9, datë 9.3.2021, denoncues mund të jetë çdo shtetas, person fizik ose juridik identiteti i të cilit si rregull duhet të jetë i përcaktuar, por përjashtimisht mund të zgjedhë të mbetet anonim dhe kjo kërkesë do të pranohet vetëm nëse në të janë shprehur qartë dhe janë arsyetuar shkaqet e anonimatit si dhe nëse informacioni dhe të dhënat e treguara krijojnë një bazë të mjaftueshme për të hetuar administrativisht shkeljet e mundshme. 

Në përmbajtje të denoncimit duhet të paraqitet detyrimisht informacioni lidhur me të dhënat që shërbejnë për identifikimin e denoncuesit dhe adresën e tij, objektin e denoncimit dhe një përshkrim të shkurtër, aktin ligjor/nënligjor të shkelur nëse mund ta përcaktohet prej denoncuesit. Denoncimi mund të shoqërohet me të dhëna, dokumente, foto apo informacione të tjera të cilat mund të ngarkohen elektronikisht ose të dërgohen fizikisht në KQZ.

KREU III i vendimit nr. 9, datë 9.3.2021 të Komisionit Rregullator ka parashikuar si organ kompetent për shqyrtimin e denoncimeve Komisionerin i cili ka një afat ligjor të përcaktuar prej 60 ditësh për hetimin administrativ i cili mund të zgjatet me vendim me shkrim të Komisionerit nëse çështja është komplekse. Nga momenti i paraqitjes së denoncimit Komisioneri brenda pesë ditëve duhet të verifikojë kompetencën për shqyrtimin e tij dhe nëse shkelja ka indicie të besueshme për të filluar hetimin administrativ. Në rast se KQZ nuk është kompetente dhe/ose mungojnë indicie të besueshme për të nisur hetimin administrativ Komisioneri vendos refuzimin për nisjen e hetimit. Në të kundërt ai fillon hetimin administrativ.

Vendimi i Rregullatorit e ka ngarkuar Komisionerin me detyrimin për të njoftuar subjektin që i nënshtrohet hetimit administrativ me shkrim dhe i kërkon të paraqesë informacione, të dhëna e prova brenda dhjetë ditëve nga marrja e kërkesës. Po ashtu ai bashkëpunon me denoncuesin për përcaktimin e fakteve dhe rrethanave të nevojshme për zgjidhjen e çështjes. Në këtë procedurë të hetimit administrativ është parashikuar edhe mundësia e drejtpërdrejtë e palës dhe Komisionerit për të sqaruar rrethanat dhe fakte nëpërmjet ekspertëve të licencuar të fushës.

Administrata e KQZ përgatit relacionin në përfundim të këqyrjes së akteve, provave e të dhënave dhe ja paraqet atë pa vonesë Komisionerit i cili brenda pesë ditëve nga marrja e tij njofton me shkrim subjektin dhe e fton të paraqesë prapësimet brenda pesë ditëve nga marrja e relacionit. Në rastet me ndikim publik ose kur Komisioneri e gjykon të arsyeshme ai organizon seancë dëgjimore publike brenda pesë ditëve nga marrja e relacionit me qëllim që subjekti i hetimit të paraqesë komentet e tij.

Vendimi përfundimtar i njoftohet si subjektit që i është nënshtruar hetimit ashtu edhe denoncuesit. Pavarësisht se në vendimin nr. 9, datë 9.3.2021 nuk është parashikuar e drejta e ankimit për palët kundër vendimit të Komisionerit, kjo e drejtë buron nga neni 21.1.b i KZ, i cili në kompetencat e KAS inter alia i njeh të drejtën të shqyrtojë dhe vendosë në rrugë administrative për ankesat ndaj akteve të Komisionerit.