Periudha e fushatës dhe e heshtjes zgjedhore

Fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve.

Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medies, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.

Të drejtat dhe detyrimet e subjekteve zgjedhore gjatë fushatës

Gjatë fushatës zgjedhore çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme.

Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 5 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit. Publikimi i rezultateve të sondazheve zgjedhore duhet të përfshijë edhe emrin e organizatorit të sondazhit, porositësin e tij, numrin e personave të intervistuar, probabilitetin e gabimit, si dhe periudhën e zhvillimit të sondazhit.

Ndalohet zhvillimi i fushatës zgjedhore në institucionet publike.

Subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike.

Subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve u ndalohet të organizojnë, kryejnë apo mbulojnë shpenzimet vetë ose nëpërmjet të tretëve për koncerte, shfaqe kulturore argëtuese apo veprimtari bamirësie, pavarësisht nëse ato mbahen përgjatë ose në lidhje me tubimet elektorale, apo zhvillohen si veprimtari fushate ose jashtë saj.

Nuk përbën shkelje dhe subjektet zgjedhore dhe kandidatët lejohet të ofrojnë sende dhe materiale të printuara fushate kur vlera e tyre është më e vogël se pesë qind lekë për send ose material. KQZ-ja mban dhe përditëson listën e sendeve apo materialeve të lejuara për fushatë, me vlerat maksimale për secilin prej tyre.