Proçesi i përgatitjes së listës së zgjedhësve
Kriteret për përfshirjen e një personi në listën e zgjedhësve janë: të ketë shtetësinë shqiptare; të ketë mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe në datën e zgjedhjeve; të jetë i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (në vijim RKGJC); të ketë vendbanimin e regjistruar në territorin e një prej zonave të qendrave të votimit; të regjistrohet zgjedhës në listën e vetëm një zone qendre votimi.
1.Zgjedhësi identifikohet në RKGJC nga përbërësit zgjedhorë. Përbërës zgjedhorë quhen përbërësit e gjendjes civile si më poshtë: a) emri; b) atësia; c) amësia; ç) mbiemri; d) datëlindja; dh) numri personal i identifikimit; e) shtetësia; ë) kodi i vendbanimit; f) gjinia.
2.Përbërësit zgjedhorë të përcaktuar në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “d” dhe “ë” publikohen. Lista që përdoret nga KQV-ja në procesin e votimit përmban përbërësit e përcaktuar në shkronjat “a”, “ç”, “d”, “dh” dhe “f”, të pikës 1, të këtij neni.
3.Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, krahas përbërësve zgjedhorë të zgjedhësve sipas pikës 1 të këtij neni, dërgon në KQZ edhe fotografinë e çdo zgjedhësi të depozituar gjatë aplikimit për letërnjoftim elektronik ose pasaportë biometrike. Institucioni përgjegjës për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike, me kërkesë të DPGJC-së, i dërgon foton e fundit të përdorur për prodhimin e dokumenteve biometrike të secilit zgjedhës.
1.Lista e zgjedhësve hartohet për çdo zonë qendre votimi dhe përmban të gjithë zgjedhësit që kanë vendbanimin e regjistruar në RKGJC në atë zonë qendre votimi. Përfshirja e zgjedhësit në listë bëhet mbi bazën e kodit të vendbanimit.
2.Një zonë qendre votimi ka jo më pak se 300 dhe jo më shumë se 1000 zgjedhës me vendbanim në territorin e saj.
3.Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit përfshin vetëm zgjedhësit me vendbanim jashtë vendit, të cilët deklarojnë vullnetin për të ushtruar të drejtën e votimit.
1.Brenda 60 ditëve nga publikimi i ekstraktit të përbërësve zgjedhorë të zgjedhësve, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore kryen lajmërimin me shkrim për çdo zgjedhës të përfshirë në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të qendrave të votimit në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore.
2.Lajmërimi me shkrim përmban qendrën e votimit, vendndodhjen dhe adresën e saj, si dhe numrin rendor të zgjedhësit në listën e zgjedhësve të qendrës së tij të votimit.
3.Për kryerjen e njoftimit, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore ngarkon administratorët e lagjeve ose, sipas rastit, kryetarët e fshatrave që përfshihen në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore dhe nëse është e nevojshme, edhe persona të tjerë nga administrata e njësisë së qeverisjes vendore.
4.Personat e ngarkuar me njoftimin e zgjedhësve i dorëzojnë njoftimin zgjedhësit personalisht ose, në mungesë të zgjedhësit, një anëtari madhor të familjes së tij, që gjendet në banesën e zgjedhësit, i cili firmos për marrjen e njoftimit.
1.Ekstrakti i përbërësve zgjedhorë shtohet, ndryshohet ose fshihet në rastet kur, pas momentit të publikimit të përbërësve zgjedhorë deri në shpalljen e listës së zgjedhësve, një person që ka mbushur ose mbush moshën 18 vjeç në datën e zgjedhjeve:
a) ka fituar ose ka lënë shtetësinë shqiptare;
b) është shpallur me vendim gjyqësor të formës së prerë si i pazoti për të vepruar;
c) vdes;
ç) ndryshojnë një ose më shumë prej përbërësve të gjendjes civile që përbëjnë përbërës zgjedhorë;
d) është regjistruar më shumë se një herë në listë;
dh) është regjistruar në qendrën e gabuar të votimit;
e) nuk është caktuar në asnjë qendër votimi;
ë) zona e qendrës së votimit është bashkuar me një zonë tjetër ose lista është ndarë.
2.Në rast se kërkohet të shtohet, të ndryshohet ose të fshihen të dhënat e një zgjedhësi ose një apo më shumë përbërës zgjedhorë të tij, kërkesa bëhet pranë zyrës përkatëse të gjendjes civile, në përputhje me ligjin e gjendjes civile dhe aktet e dala në zbatim të tij, si më poshtë:
a) në rastin e shkronjave “ç”, “d”, “dh” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni, kërkesa për ndryshim të përbërësit zgjedhor bëhet nga shtetasi ose një anëtar madhor i familjes së tij;
b) në rastet e shkronjave “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të këtij neni, kërkesa për shtimin ose fshirjen e përbërësit zgjedhor mund të bëhet nga shtetasi kur ka fituar shtetësinë, një anëtar madhor ifamiljes së personit, kujdestari ligjor ose nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, kryesisht ose mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur nga persona të tretë;
c) në rastin e shkronjës “d” të pikës 1 të këtij neni, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka të drejtë t'i kërkojë zyrës përkatëse të gjendjes civile fshirjen e përbërësit zgjedhor të dyfishtë ose të përbërësit që nuk përputhet me vendbanimin e regjistruar në RKGJC. Procedurat për evidentimin dhe verifikimin përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile, duke përdorur të gjitha të dhënat shtetërore, sipas legjislacionit në fuqi;
ç) në rastin e shkronjës “ë” të pikës 1 të këtij neni, ndryshimi bëhet drejtpërdrejt nga zyra e gjendjes civile mbi bazën e vendimit të marrë në përputhje me neni 62 nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore.
1.Me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 2 shkronja “c” të nenit 53, kërkesat për ndryshime në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë nuk mund të paraqiten më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve.
2.Kërkesa për ndryshim, sipas shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 53, përbëhet nga një formular i veçantë, i cili paraqitet në zyrën e gjendjes civile ku zgjedhësi ka vendbanimin. Një kopje e formularit mbahet nga kërkuesi pas shënimit të datës së pranimit dhe nënshkrimit të nëpunësit që ka pranuar formularin. Formulari përmban:
a) emrin e plotë të kërkuesit dhe adresën e tij;
b) shkakun, për të cilin kërkohet ndryshimi;
c) dokumentet që provojnë shkakun për të cilin kërkohet ndryshimi.
3.Pas dorëzimit të kërkesës, zyra e gjendjes civile kryen verifikimet përkatëse dhe jo më vonë se 2 ditë nga dorëzimi i kërkesës kryen ndryshimin e kërkuar ose refuzon me shkrim kërkesën. Akti i refuzimit hartohet në jo më pak se tri kopje, nga të cilat njëra i dërgohet kërkuesit jo më vonë se 3 ditë nga data e marrjes së vendimit, një kopje Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në përfundim të periudhës së rishikimit dhe një kopje ruhet pranë zyrës përkatëse të gjendjes civile.
1.Kundër mospranimit të kërkesës për ndryshim të përbërësit zgjedhor, për shkaqet e parashikuara në nenin 53 dhe sipas procedurave të nenit 54 të këtij Kodi, mund të bëhet ankim nga kërkuesi në gjykatën e rrethit gjyqësor, në juridiksionin e së cilës ndodhet njësia e qeverisjes vendore. Ankimi bëhet jo më vonë se 5 ditë nga marrja dijeni për vendimin ose nga kalimi i afatit për marrjen e vendimit mbi kërkesën nga zyra e gjendjes civile. Kërkesëpaditë, sipas këtij neni, përjashtohen nga pagesa e taksës së shërbimit gjyqësor.
2.Gjykata shqyrton çështjen dhe merr vendim brenda 5 ditëve nga çasti i paraqitjes së kërkesëpadisë. Në rast se paditësi ose përfaqësuesi i tij ligjor nuk paraqitet në gjykim, gjykata pushon gjykimin. Në rast se i padituri nuk paraqitet në gjykim, gjykimi zhvillohet në mungesë. Gjykata duhet t’i njoftojë vendimin palës në mungesë, sipas dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Civile, brenda 24 orëve nga data e shpalljes së vendimit. Zyra e gjendjes civile është e detyruar të zbatojë vendimin e gjykatës brenda 48 orëve nga marrja dijeni, pa qenë nevoja që paditësi të kërkojë lëshimin e urdhrit të ekzekutimit. Në çdo rast, gjykata duhet të vërë në dispozicion të palëve vendimin e saj të arsyetuar me shkrim në të njëjtën datë me shpalljen e vendimit.
3. Kërkimi provohet me të njëjtat dokumente dhe prova, me të cilat provohet kërkesa para zyrës së gjendjes civile
1.Kur zgjedhësi vëren se përbërësi i tij zgjedhor përmban pasaktësi, nuk është i regjistruar në listën e zgjedhësve të zonës së qendrës së votimit të vendbanimit të tij ose nuk është regjistruar fare në ndonjë nga listat e njësisë së qeverisjes vendore ku ai ka vendbanimin, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatën e rrethit gjyqësor përkatës deri 24 orë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa, sipas kësaj pike, përjashtohet nga taksat gjyqësore.
2.Në rast se zgjedhësi ndryshon vendbanimin pas shpalljes së listës së zgjedhësve, lista nuk ndryshon dhe zgjedhësi voton në qendrën e votimit ku ka emrin në listën e miratuar. Në rast se zgjedhësi paraqet kërkesë në gjykatë në kushtet e kësaj pike, kërkesa rrëzohet.
3.Gjykatat e rretheve gjyqësore shqyrtojnë dhe vendosin në lidhje me kërkesat, sipas pikës 1 të këtij neni, si në ditën e fundit para zgjedhjeve, edhe në ditën e zgjedhjeve, por jo më vonë se 6 orë përpara mbylljes së votimit. Në rastin kur vendimi gjyqësor bën korrigjimin e përbërësve zgjedhorë, përcaktohet qartë përbërësi zgjedhor që ndryshohet. Kur saktësohet qendra e votimit ose zgjedhësi shtohet në listë, vendimi gjyqësor përcakton qendrën e votimit ku zgjedhësi do të votojë dhe numrin e dokumentit të identifikimit.
4.Emri i zgjedhësit që paraqitet për të votuar me vendim gjykate shënohet nga KQV–ja në një regjistër të posaçëm, të cilit i bashkëngjitet vendimi i gjykatës. Në këtë regjistër shënohet edhe numri i dokumentit të identifikimit që përdoret për votim. E njëjta procedurë zbatohet edhe për rastet kur vendimi është marrë në përputhje me nenin 55, por vendimi nuk është pasqyruar në listën e zgjedhësve.