Gjatë fushatës zgjedhore, radiotelevizioni publik vë minutazh falas në dispozicion të partive politike të regjistruara dhe të KQZ-së për të bërë fushatë, e cila ndahet sipas rregullave të mëposhtme:
a) KQZ-së i vihen në dispozicion gjithsej dy orë, sipas segmenteve orare të kërkuara prej saj. Të paktën dy të tretat e këtij minutazhi duhet të jenë brenda segmentit orar 1800-2200;
b) për partitë parlamentare, që në zgjedhjet e fundit për Kuvendin kanë marrë më shumë se 20 për qind të vendeve në Kuvend, KQZ-ja cakton një minutazh të barabartë prej jo më pak se 30 minutash në televizionin publik dhe po aq në radion publike, kurse për partitë e tjera parlamentare, kjo kohë është jo më pak se 15 minuta. Rritja e kohës së transmetimit një partie apo një koalicioni përkatës, rrit proporcionalisht kohën në dispozicion të partisë apo koalicionit tjetër;
c) çdo parti jashtëparlamentare, që merr pjesë në zgjedhje, përfiton 10 minuta në televizionin publik dhe 10 minuta në radion publike;
ç) në çdo program ose reklamë politike, në shërbim të propagandës zgjedhore, duhet të përcaktohet qartë subjekti zgjedhor përkatës. Në rast se programi ose reklama politike nuk është e identifikuar qartë, KQZ-ja urdhëron pezullimin e menjëhershëm të transmetimit të saj derisa të bëhet identifikimi i kërkuar nga kjo pikë.
Radiotelevizioni publik e pasqyron fushatën zgjedhore nëpërmjet lajmeve dhe programeve informative, në përputhje me parimet e paanshmërisë, plotësisë, vërtetësisë dhe pluralizmit të informacionit, të parashikuara në legjislacionin që rregullon fushën e mediave elektronike. Minutazhi falas që përfitojnë partitë politike nuk mund të caktohet si pjesë e lajmeve dhe programeve informative.
Radiotelevizioni publik transmeton reklama politike pa pagesë, duke llogaritur kohën e transmetimit brenda minutazhit.
Gjatë fushatës zgjedhore ndalohen reklamat e institucioneve publike në nivel qendror dhe vendor, me përjashtim të atyre që i shërbejnë qëllimit të ndërgjegjësimit të zgjedhësve për aspekte të procesit zgjedhor dhe/ose njoftime të tjera.
Në minutazhin politik të edicioneve informative, radiotelevizioni publik është i detyruar të zbatojë raporte kohore të barabarta për të gjitha partitë parlamentare, që në zgjedhjet e fundit për Kuvendin kanë marrë deri në 20 për qind të vendeve në Kuvend. Partitë që kanë marrë më shumë se 20 për qind të vendeve në Kuvend, përfitojnë kohë transmetimi të shpërndarë në mënyrë të barabartë midis tyre. Secila nga këto parti përfiton kohë sa dyfishi i kohës që përfiton një parti që ka marrë deri në 20 për qind të vendeve në Kuvend.
Në rast të shkeljes së raporteve të pasqyrimit në favor të një partie ose të një koalicioni, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve urdhëron reduktimin në të njëjtën masë të kohës në dispozicion të partisë ose koalicionit politik ose kompensimin e partive apo koalicioneve të tjera politike me minutazh shtesë brenda 48 orëve.
Transmetimi i veprimtarive të institucioneve publike, qendrore ose vendore, llogaritet në kohën e transmetimit të subjektit zgjedhor, të cilit i përket titullari i institucionit, nëse veprimtaria ndjek qëllime elektorale. Veprimtaria ndjek qëllime elektorale kur ajo synon promovimin e arritjeve institucionale, të investimeve, inaugurimeve ose ecurinë në ndërtimin e punëve publike ose kur promovon aspekte specifike të programit elektoral të subjektit zgjedhor.
Për pasqyrimin e veprimtarive të partive joparlamentare radiotelevizioni publik zbaton kriteret profesionale të lajmit. Koha në dispozicion nuk mund të jetë më e madhe se koha e dhënë për partitë parlamentare, të cilat kanë marrë jo më pak se 20 për qind të vendeve në Kuvend.
Brenda edicioneve informative gazetarët e radiotelevizionit publik e kanë të ndaluar propagandën, komentet ose qëndrimet politike.
Në rast të shkeljes së kërkesave të përcaktuara në këtë nen, KQZ-ja gjobit, sipas rastit dhe shkallës së përgjegjësisë, me 20 000 lekë reporterin që ka përgatitur kronikën, me 30 000 lekë redaktorin përgjegjës, me 35 000 lekë drejtorin e informacionit dhe me 60 000 lekë drejtorin e përgjithshëm.
Vendimi i KQZ-së përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga drejtoria e financës e radiotelevizionit publik. Ankimi ndaj vendimit nuk pezullon ekzekutimin e tij.
Në radiot dhe televizionet private, pasqyrimi i fushatës zgjedhore bëhet vetëm në edicionet e zakonshme dhe të posaçme informative. Radiot dhe televizionet private nuk vënë kohë transmetimi në dispozicion të subjekteve politike për pasqyrimin e fushatës zgjedhore të tyre. Informacionet mbi aktivitete të fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative, bazuar në materiale të vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore, duhet të identifikohen qartë, në përputhje me udhëzimet e KQZ-së.
Radiot dhe televizionet private, në edicionet e tyre të zakonshme dhe të posaçme informative, duhet të respektojnë kushtet e mëposhtme:
a) minutazhi politik i edicioneve informative ndahet në raporte kohore, sipas parashikimeve të pikës 1 të nenit 81 të këtij Kodi. Në rast të shkeljes së raporteve të pasqyrimit në favor të një partie, KQZ-ja, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1 500 000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3 000 000 lekë. Vendimi i KQZ-së përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga zyra e përmbarimit. Ankimi ndaj vendimit nuk pezullon ekzekutimin e tij. Në rast përsëritjeje të shkeljes, KQZ-ja urdhëron entin rregullator për mediat audiovizive të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv për 48 orë. Bllokimi vendoset jo më vonë se ora 1800 e ditës pasardhëse;
b) transmetimi i veprimtarive të institucioneve publike, qendrore ose vendore, do të llogaritet në kohën e transmetimit të subjektit zgjedhor, të cilit i përket titullari i institucionit, nëse veprimtaria ndjek qëllime elektorale. Veprimtaria ndjek qëllime elektorale kur ajo synon promovimin e arritjeve institucionale, të investimeve, inaugurimeve ose ecurinë në ndërtimin e punëve publike ose kur promovon aspekte specifike të programit elektoral të subjektit zgjedhor;
c) për pasqyrimin e veprimtarive të partive joparlamentare dhe kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit, radiot dhe televizionet private zbatojnë kriteret profesionale të lajmit;
ç) brenda edicioneve informative, gazetarët e kanë të ndaluar propagandën, komentet ose qëndrimet politike. Në rast shkeljeje, KQZ-ja e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1 000 000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 2 500 000 lekë. Vendimi i KQZ-së përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga zyra e përmbarimit. Ankimi ndaj vendimit nuk pezullon ekzekutimin e tij. Në rast përsëritjeje të shkeljes, KQZ-ja urdhëron entin rregullator për mediat audiovizive të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv vendor për 48 orë. Bllokimi vendoset jo më vonë se ora 1800 e ditës pasardhëse.
d) Media audiovizive përgatit lajmet në liri të plotë editoriale. Kur për shkaqe objektive media nuk është në gjendje të ndjekë veprimtari të veçanta zgjedhore, ajo lejohet të shfrytëzojë dhe përzgjedhë pamje filmike nga regjistrimet e plota të servirura nga subjektet zgjedhore, me kushtin që ta shoqërojë lajmin me shënimin “materiali filmik servirur nga subjekti.
Radiot dhe televizionet private kanë të drejtë të organizojnë debate zgjedhore midis partive politike ose kandidatëve konkurrentë. Në organizimin dhe zhvillimin e debatit, radiotelevizionet private janë të detyruara të ruajnë baraspeshën mes partive politike në debat.
Në rast shkeljeje, KQZ-ja urdhëron entin rregullator për mediat audiovizive të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv për 48 orë. Bllokimi vendoset jo më vonë se ora 1800 e ditës pasardhëse.
Vetëm subjektet zgjedhore të regjistruara për zgjedhje kanë të drejtë të transmetojnë reklama politike gjatë periudhës zgjedhore në radiot, televizionet apo mediat audiovizive private, qofshin këto numerike, kabllore, analoge, satelitore apo të çdo lloj forme dhe mënyre të transmetimit të sinjalit. Reklamat politike të koalicioneve zgjedhore llogariten brenda kohës së partive politike anëtare të koalicionit, sipas marrëveshjes individuale të secilës parti me operatorin radioteleviziv. Reklama politike duhet të identifikojë qartë subjektin porositës. Në rast se reklama politike nuk është identifikur qartë, KQZ-ja urdhëron pezullimin e menjëhershëm të transmetimit të saj derisa të bëhet identifikimi i kërkuar nga kjo pikë.
Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 90 minuta për secilën parti të regjistruar për zgjedhje. Operatorët radiotelevizivë në çdo rast zbatojnë tarifa të njëjta brenda të njëjtit segment kohor përgjatë gjithë kohës së fushatës. Operatorët radiotelevizivë detyrohen të dorëzojnë 5 ditë përpara fillimit të fushatës tarifat për çdo segment kohor pranë KQZ-së. Tarifat publikohen në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Për zgjedhjet në Kuvend radiot dhe televizionet private kombëtare dhe satelitore, të cilat pranojnë reklama me pagesë, detyrohen që gjysmën e kohës totale të reklamës së parashikuar në pikën 5 të këtij neni t’ua vënë në dispozicion falas subjekteve zgjedhore. Kostoja për vënien e kohës në dispozicion falas subjekteve zgjedhore nga ana e radiove dhe televizioneve private llogaritet si shpenzim i zbritshëm për efekte tatimore. Ngarkohen KQZ-ja, enti rregullator për mediat audiovizive dhe Ministri i Financave të nxjerrin udhëzimet përkatëse.
Reklamat politike të subjekteve zgjedhore transmetohen ndërmjet intervaleve kohore nga ora 1500 deri 1800 dhe nga ora 2100 deri 2400 të programit ditor.
Reklamat për kandidatët për kryetar të njësive të qeverisjes vendore llogariten në kohën e subjektit politik që ata përfaqësojnë.
Për partitë joparlamentare dhe për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, radiot dhe televizionet private vënë në dispozicion kohë transmetimi shtesë për reklamat mbi kohën që zbatohet. Koha e transmetimit të reklamave për secilën parti joparlamentare dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit nuk mund të jetë më e madhe se 10 minuta për gjithë fushatën zgjedhore. Për partitë joparlamentare dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit zbatohen tarifa të njëjta me ato që zbatohen për partitë parlamentare, si dhe kritere të njëjta për kohën falas. Në rast shkeljeje, KQZ-ja gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 2 000 000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3 500 000 lekë. Vendimi i KQZ-së përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga zyra e përmbarimit gjyqësor. Ankimi ndaj vendimit nuk pezullon ekzekutimin e tij.
Në rast shkeljeje, KQZ-ja urdhëron entin rregullator për mediat audiovizive të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv vendor për 48 orë. Bllokimi vendoset jo më vonë se ora 1800 e ditës pasardhëse.
Institucioneve publike në nivel qendror dhe vendor, 4 muaj përpara ditës së zgjedhjeve, u ndalohen reklamat, me përjashtim të atyre që i shërbejnë qëllimit të ndërgjegjësimit të zgjedhësve për aspekte të procesit zgjedhor ose njoftime të tjera të parashikuara nga ligji.